Lajme

​Mbi 100 minatorë të Trepçës në grevë, kërkojnë pagat

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 12 February 2021

Mospagesa për muajin janar ka bërë që minatorët e minierës “Trepça” në Stantërg të futen në grevë. Fillimisht në grevë të enjten hynë një grup i minatorëve të ndërrimit të dytë dhe të tretë e të premten iu bashkuan edhe minatorët e ndërrimit të parë.

Kështu deri më tani mbi 100 minatorë kanë ndërprerë punën dhe po qëndrojnë nëpër horizontet e kësaj miniere, duke shprehur kështu pakënaqësinë e tyre për mos pagesat për muajin janar.

Lajmin e ka bërë të ditur për KosovaPress, Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

-Advertisement-

“Janë 105 minatorë të cilët janë ngujuar në horizontin e tetë, nëntë dhe dhjetë të minierës, për shkak të pagave që s’i kanë marr për muajin e kaluar. Fillimisht minatorët e ndërrimit të dytë gjatë ditës së djeshme kanë ndërprerë punën, pastaj atyre iu është bashkëngjitur ndërrimi i tretë, dhe e njëjta gjë ka vazhduar edhe sot me ndërrimin e parë. Kemi komunikuar me menaxhmentin dhe na kanë thënë se minatorët do t’i marrin pagat e tyre deri në fund të javës së ardhshme”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të minierës së “Trepçës”, Enes Muzaqi për KosovaPress tha se grevën po e sheh si tendencioze, derisa shton se me marrjen e detyrës i kishte njoftuar drejtorët dhe njësitet përkatëse se deri në muajin prill do të ketë vështirësi për pagesat. Mirëpo thekson se po bëhet për të çrregulluar prodhimin dhe sistemin e punës që është krijuar.

Ndër tjera Muzaqi tha se pagat e muajit janar për minatorët do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.

Ndryshe, minatorët e kësaj ndërmarrje patën grevuar edhe gjatë muajit janar të këtij viti, për shkak të vonesës së pagave për muajin dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera