Lajme

​Masa strikte në Gjermani, kinematë e pishinat po mbyllen

Autori: Gazeta inFokus 20:22 | 27 December 2021

Në Gjermani po futen masa të rrepta për të ngadalësuar valën e infeksioneve me COVID-19 të shkaktuar nga varianti omicron.

Kufizimet për tubimet e brendshme dhe të jashtme janë në fuqi që nga sot, dhe palestrat, pishinat dhe klubet e natës janë mbyllur në disa shtete. Restorantet dhe kafenetë do të punojnë me orar të shkurtuar.

Fishekzjarrët për Vitin e Ri, të cilët tradicionalisht mbahen jashtë në shumicën e qyteteve gjermane, janë anuluar për të dytin vit radhazi, shkruan The Guardian.

Kufizime po vendosen edhe për tubimet private në ato pjesë të vendit ku rregulli nuk është futur para Krishtlindjes. Ndalohen tubimet e më shumë se dhjetë personave, jashtë dhe brenda, dhe në këtë numër nuk përfshihen fëmijët nën 14-vjeç.

Megjithatë, kjo masë vlen vetëm për ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga infeksioni COVID-19. Ata që nuk u vaksinuan u lejuan të shoqëroheshin me maksimum dy persona nga familjet e tjera.

Mbetet në fuqi detyrimi për vendosjen e maskës, e cila u fut gati një vit më parë, në dyqane dhe transport publik, si dhe paraqitja e certifikatës së vaksinimit.

Deri më tani, pothuajse 71% e gjermanëve janë vaksinuar plotësisht, ndërsa pak më pak se 36% kanë marrë një dozë përforcuese.

Përpara Krishtlindjes, kancelari Olaf Scholz vendosi një objektiv për të vaksinuar 80% të popullsisë deri më 7 janar. Por qeveria tha sot se do të jetë e vështirë për t’u arritur dhe se do të përpiqet ta zbatojë deri në fund të janarit.

Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka thënë vazhdimisht se po ndjek nga afër zhvillimet në Britaninë e Madhe dhe po bisedon me një homolog atje për të monitoruar zhvillimet në vend ku omicron u shfaq dy deri në tre javë më herët se në Gjermani.

Varianti omicron deri më tani është regjistruar në të 16 shtetet gjermane, por ende nuk është bërë dominues.

Ekspertët paralajmërojnë se Gjermania mund të ketë deri në 700.000 raste të infeksionit në ditë, gjë që mund të rezultojë në një bllokim të ri.

Sipas Spiegel, qeveria federale i kërkon Bundestagut që të fillojë sa më shpejt përgatitjet për futjen e vaksinimit të detyrueshëm.

Të tjera