Lajme

​Kuvendi nesër me dy seanca

Autori: Gazeta inFokus 20:42 | 03 October 2021

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë nesër dy seanca plenare, njëra prej të cilave do të jetë vazhdim.

Në rendin e ditës së vazhdimit të seancës së plenare nga ora 10:00 do të jetë votimi i raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020.

Seanca e re plenare ndërkaq do të mbahet në orën 10:15 dhe në rendin e ditës janë 12 pika.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, do të jetë pika e katërt e rendit të ditës.

Ndërsa pika e pestë do të ketë për shqyrtim Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Pikë e gjashtë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pika e shtatë ka të bëjë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për punimet nga metalet e çmuara, ndërsa në pikën e tetë do të shqyrtohet Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025.

Pikat nëntë dhe dhjetë parashikojnë shqyrtimin e Planit të Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane, si dhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe raportin me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, si dhe formimin e komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të ankesave të mediave.

Të tjera