Lajme

​KQZ çregjistron dy parti politike

Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 07 April 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar zëvendësimin e Vjosa Osmanit me Yllza Hotin nga Lëvizja Vetëvendosje për deputete në Kuvendin e Kosovës. Veç tjerash, në mbledhjen e sotme u tha nga 28 subjekte politike vetëm një parti serbe nuk ka dorëzuar raportin financiar për shpenzimet në fushatën elektorale. Po ashtu, u kërkua që të çregjistrohen Partia Demokratike e Diasporës dhe Alternativa Demokratike e Kosovës.

Mbledhje e sotme nuk u kryesua nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila u bë e ditur se së fundmi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Për këtë anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi iu është lutur anëtarëve të komisionit që të mbajnë maskat.

“Kryesuesja tash veç është prekur nga COVID-i. Nuk është e thënë që e ka marrë këtu, megjithatë është një fakt. Edhe puna tjetër, ju lus kolegë të gjithë ata që janë të pranishëm në sallë, vendoseni bre nga një maskë, se pasha besën dojmë me shku poshtë. Veç po ju luti”, ka thënë ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj ka njoftuar se data 31 mars ka shënuar për dorëzimin e raporteve financiare për shpenzimet në fushatë dhe afatin për dorëzimin e formularit për vazhdimin e regjistrimit të partisë politike.

Ai ka thënë se nga 28 subjekte politike, 27 e kanë dërguar raportin, ndërkaq vetëm Srpski Demokratski Savez, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Për shkak të kësaj mungese ashtu siç e parasheh ligji, KQZ është e obliguar që të shqiptojë gjobën mandatore prej 1 mijë euro për këtë subjekt, për këtë lëshim që është bërë. Si dhe i caktohet masë prej 0.01% gjobë të pagës bazë për secilën ditë të vonesës për raportin deri në dorëzim. Subjekti politik është kontaktuar në të gjitha mënyrat e mundshme dhe nuk do besojmë që do të vonojnë të sjellin raportin”, ka njoftuar ai.

Ndërsa, sa i përket formularit për vazhdimin e regjistrimit të partive politike kanë dështuar dy nga to që ta dorëzojnë ato.

“Nga 46 parti të cilat kanë qenë të obliguara ta sjellin, kanë dështuar dy të sjellin. Ndërsa, dy të tjera nuk kanë qenë të obliguara, për shkak që janë regjistruar këtë vit. Dy që kanë dështuar të sjellin formularin janë Partia Demokratike e Diasporës dhe Alternativa Demokratike e Kosovë”, ka shtuar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar rekomandimin për zëvendësimin e Vjosa Osmanit, deputete të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Pas zgjedhjes së Osmanit presidente, Hoti është e para në listën e pritjes për t’u bërë deputete nga radhët e VV-së. Hoti në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte marrë 5929 vota.

Në mbledhjen e së mërkurës, KQZ-ja ka aprovuar buxhetin i planifikuar për kodin e shpenzimeve dhe udhëtimeve në kuadër të KQZ-së, propozuar nga anëtari i LDK-së, Sami Hamiti.

Të tjera