Lajme

​Kërkohet hetim për votat nga diaspora, KQZ vendos që zarfet e dyshimta të shfaqen para mediave

Autori: Gazeta inFokus 16:45 | 16 November 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka kërkuar hetim dhe verifikim të personave që kanë votuar nga jashtë, për shkak të dyshimeve për manipulim në Mamushë, Junik dhe Dragash. Të njëjtat u vendos që të shfaqen sot para mediave, por pa cenuar integritetin e votuesve.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se ka parë disa zarfe që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe se është e vërtetë që disa prej tyre kanë shkrim të njëjtë.

“Unë edhe sot gjatë ditës isha edhe në Ministrinë e Transportit aty ku edhe po mbahen këto zarfe dhe është e vërtetë që disa prej atyre zarfeve kanë shkrim të njëjtë, vërehet që është përdorur një kimik i njëjtë, vërehet që është një person ka shkruar disa zarfe. Prandaj, mendoj që këto kërkojnë një hetim, pa paragjykuar se kush çka ka mundur të bëjë, e rëndësishme është që të hetohen dhe të verifikohen saktë në qoftë se këta persona janë regjistruar personalisht dhe kanë aplikuar e kanë votuar personalisht në KQZ. Ky shqetësim duhet të adresohet…Prandaj, mendoj që është më se e nevojshme që këto aplikime, pra jo të ndalemi në komuna të veçanta por ndoshta të gjitha ato t’i nënshtrohen një hetimi, një verifikimi nga KQZ-ja para se të numërohen”, tha Elshani.

Ndërsa Ilir Gashi tha se për shkak të dyshimeve duhet të prijë një hetim i plotë nga KQZ-ja.

“Dyshimet kanë filluar të ngritën e duhet t’i paraprijë një hetim i plotë nga KQZ-ja, duke përfshi atë nga sekretariati dhe të vijë një raport mbi të gjeturat se cila është e vërteta e çështjeve të ngritura në opinion dhe vetëm pastaj mund të procedojmë… Vetë fakti që 70 për qind e votave nga diaspora vijnë vetëm nga tri komuna shumë të vogla është një indikacion për të shfaqur atë çka sot mediat e kanë ngritur. Unë nuk po paragjykoj asgjë, vetëm se dua një hetim me u bë nga ne”, tha Gashi.

Florian Dushi nga LDK, tha se çfarëdo vendimi që të marrin, i njëjti duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të organeve, pasi është jashtë rregullave të KQZ-së.

“Se ky është spekulim i sponsorizuar në media, tregon fakti se gazetarja kur na është drejtuar sot, sikur z. Kurteshit dhe tjerëve, thotë ‘votave të ardhura kryesisht nga Austria’. Përmendja e Austrisë është e qartë. Por, nuk është kështu. Janë 200 zarfe nga Austria. Mos ta përbaltim këtë proces për qëllime politike elektorale. Ne mundemi çfarëdo verifikimi me bë, por mos ta përbaltim sepse ia bëjmë vetes. Ia bëjmë institucionit tonë. Ky është haptas spekulim i ndërtuar në media dhe është i pavërtetë, është i pasaktë. Dhe, unë i kam thënë: ‘meqë ti paske nxjerrë konstatime se janë nga Austria, referoju burimeve të para sepse unë nuk di’”, tha ai.

Ndërsa kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se KQZ nuk e ka asnjë procedurë që thotë se duhet të iniciojë hetim.

“Ne e kemi një procedurë në bazë të së cilës punojmë. Dhe, ky raport i hetimit nëse bëhet ne duhet ta respektojmë procedurën. Ne nuk mund të marrim rolin e gjyqtarit apo të hetuesit në këtë aspekt… Besniku, ka raportuar, të cilin e keni pranuar gjatë ditës së djeshme. Raporti përmban të gjitha informatat bazike sa i përket shërbimit votues dhe verifikimit apo vlerësimit të votave jashtë vendit. Ne në procedurë nuk e kemi në asnjë rast për të kryer hetime se prej cilës postë vijnë, apo kush e ka nënshkrimin e njëjtë. Janë organe tjera që merren me këtë… Deri më tash nuk e kemi ndonjë raport që thotë që diçka nuk është në rregull”, tha Ahmetaj.

Pas një pauze, me propozim të anëtarëve të KQZ-së, u tha që këto zarfe të prezantohen para mediave.

Florian Dushi tha se mediat nuk i ndalon askush, veçse duhet të ruhen të dhënat personale të votuesve.

“Mediat ndoshta nuk i kishte ndaluar askush, veç me kujdesin e veçantë që të dhënat personale të votuesve të ruhen. Unë nuk kam asgjë kundër që kjo të ndodhë. Natyrisht, nën përgjegjësinë e sekretariatit, që me qenë të kujdesshëm dhe për t’i ruajtur të dhënat personale të votuesve”, tha Dushi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se kjo i mbetet sekretariatit.

“Unë nuk po e hedh në votim, po ia lë sekretariatit në dorë, kanë mundësi logjistike”, tha ai.

Të tjera