Rajoni dhe Bota

​Kandiq flet mbi fshehjen e krimeve serbe në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 22:15 | 13 October 2020

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka kërkuar nga shoqëria civile dhe Thirrjet e Nënave që të mos heshtin asnjëherë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga koha e përfundimit të luftës në Kosovë.

Kandiq ka thënë për TV Dukagjini se duhet të bëhet pasqyra e të gjitha të dhënave mbi rrethanat e zhdukjes së personave apo trupave dhe në bazë të një analize të saktë të konstatohet faktet se ku ata gjenden.

“Vetëm pranimi publik i kontribuon situatës. Është e saktë se gjatë kësaj periudhe viktimat janë përmendur shumë, para se gjithash, ata, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur në Batajnicë, kjo për faktin se Fondi humanitar disponon me të gjithë këto të dhëna dhe me emrat. Ne, gjithashtu, kemi përcjellë ekshumimet si në Batajnicë, po ashtu edhe në Petrovo Selo dhe kemi të dhëna se çfarë është gjetur. A ka pasur obduksion, a është konstatuar shkaqet e vdekjes? Jo, si në shumicën e rasteve në Batajnicë obduksioni nuk është kryer për të dhënë konstatimin e shkakut të vdekjes. Sipas vlerësimit tonë, kjo ka qenë njëra nga mënyrat që të shmanget të thuhet se ajo që kanë dëshmuar mbetjet mortore, e kjo është se bëhet fjalë për vdekje të dhunshme dhe në të shumtën e rasteve deri te vdekja ka ardhur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga afër”, tha Kandiq.

Ndryshe, Natasha Kandiq ka marrë një numër të madh vlerësimesh ndërkombëtare për punën e saj. Në vitin 2003 ka qenë edhe në listën e 36 heronjve evropianë, të botuar në revistën „Time”.

Në vitin 2005 është shpallur qytetare nderi e Sarajevës dhe person i vitit në Bosnje-Hercegovinë, sipas revistës „Slobodna Bosna”. Më 2013 është nderuar me çmimin Hrant Dink në Turqi, ndërsa kongresistët amerikanë Eliot Engel dhe Roger Viker e kanë propozuar Natasha Kandiqi në vitin 2018 për çmimin Nobel për Paqe.

Të tjera