Lajme

​Kadrijaj: Kroacia ka qenë përkrahëse e Kosovës në të gjitha etapat

Autori: Gazeta inFokus 16:50 | 14 October 2020

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka zhvilluar të mërkurën një takim me deputeten në Parlamentin e Republikës së Kroacisë Ermina Lekaj-Përlaskaj.

Pas takimit në një konferencë për media, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Time Kadrijaj, tha se Kosova dhe Kroacia kanë marrëdhënie të mira bilaterale, derisa theksoi se ky shtet ka mbështetur Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

 

“Kroacia ka qenë përkrahëse e Kosovës në të gjitha etapat dhe vazhdon me qenë një përkrahëse. Jemi në fazën e fundit të dialogut po edhe çështja e liberalizimit të vizave. Njëkohësisht unë falënderova edhe eurodeputetët që vijnë nga Kroacia, të cilët gjithmonë në të gjitha proceset e kanë përkrahur Kosovën. Do të vazhdojmë me një bashkëpunim të mirë bilateral, do të shkëmbejmë vizita të përbashkëta me qëllim të përforcimit të diplomacisë parlamentare”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja e Parlamentit të Kroacisë Ermina Lekaj-Përlaskaj, tha se fokusi i takimit ishte tek liberalizimi i vizave, diplomacia dhe bashkëpunimi ekonomik me Kroacinë.

 

“I shkëmbyem disa mendime dhe dhamë disa sugjerime si nga ana ime dhe nga ana e parlamentarëve të Kosovës, do të thotë fokusi ishte më së shumti në liberalizimin e vizave, në diplomaci dhe në bashkëpunimin ekonomik me Kroacinë, si dhe me shtete të tjera të BE-së. Një ashtu gjatë bisedës erdhëm tek një marrëveshje gojore që deputetët nga Kroacia të bëjnë një vizitë në Parlamentin e Kosovës, si dhe deputetët nga Kosova ta kthejnë këtë vizitë. Mirëpo më së shumti të fokusohemi në politikën e jashtme që sa më shpejt Kosova të hyjë në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Të tjera