Lajme

​Ismajli: Gjendja e sotme dëshmon për një rënie të madhe të infeksionit në Gjilan

Autori: Gazeta inFokus 17:25 | 13 September 2020

Komiteti i emergjencave për parandalimin e virusit COVID-19 në Gjilan, ka bërë të ditur se sot në këtë komunë ka një rënie e madhe e rasteve pozitive, ku nga 170 mostra të testuara vetëm tre kanë rezultuar pozitive.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se gjendja në aspektin e menaxhimit dhe parandalimit të COVID-19, është në nivelin më të mirë të mundshëm, falë bashkëpunimit të institucioneve të shëndetësisë, Policisë së Kosovës, emergjencave civile, bashkësive fetare dhe qytetarëve.

“Gjendja që sot kemi prej numrit kaq të madh të mostrave na jep lajm të mirë, por nuk do të thotë se mund t’i neglizhojmë masat mbrojtëse. Masat mbrojtëse duhet të përdoren strikt, pasi që fuqia e virusit është e njëjta dhe deri tani është dëshmuar se merr edhe jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Komuna e Gjilanit në përballjen me COVID-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka gjithsej 936 raste pozitive, prej tyre 777 janë të shëruar, 41 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 119, prej tyre 23 të hospitalizuar dhe me gjendje shëndetësore stabile.

Të tjera