Lajme

​Interesim i vogël për vaksinim sot kundër COVID-19 në sallën “1 tetori”

Autori: Gazeta inFokus 17:09 | 03 October 2021

Përkundër asaj që Kosova po vazhdon të përballet me raste të reja me koronavirus, por edhe me raste që përfundojnë me fatalitet, një numër i vogël i qytetarëve kishte shprehur interesim që gjatë këtij vikendi të vaksinohet kundër sëmundjes së rrezikshme e cila tash e gati dy vjet ka kapluar të gjithë globin.

Sot në sallën “1 Tetori” në kryeqytet po vazhdon vaksinimi i qytetarëve, ku shumica e tyre janë të vaksinuar me dozën e parë.

Qytetarja Sadije Gori Bajoku, e vaksinuar me dozën e parë, shprehet e kënaqur me menaxhimin e procesit të vaksinimit.

“Dozën e parë e kam marrë, njëherë jemi mirë veç sa e kemi marre mirë jemi. Mirë kemi ardhur mirë e kaluam, nuk kemi pritet veç të dhënat që i kemi jep më shumë nuk kemi pritë,” ka thënë Bajoku.

Edhe Fisnik Rexhepi i vaksinuar me dozën e parë tregon se procesi ka shkuar shumë shpejt dhe se nuk kanë pasur telashe.

“Procesi u krye shumë shpejt, për mua është vaksina e parë sot, doza e parë, pak dora është mpirë, por jo diçka por besoj është normale,” ka deklaruar Rexhepi.

Ndërsa Endrit Cakaj tregon se sot ka marrë edhe dozën e dytë të vaksinës antiCOVID-19 dhe se ndihet mirë.

“Jam vaksinuar me dozën Pfizer, doza e dytë është sot që e kam marrë nuk kemi pas diçka telashe. As doza e parë nuk më ka munduar, as e dyta. Gjithçka ka qenë në rregull, edhe shërbimi ka qenë në nivel, kështu që nuk ka pasur probleme,” ka thënë Cakaj.

Dy raste të vdekjes dhe 23 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit në Kosovë, teksa numri i të vaksinuarve në nivel vendi ishte 16.942. Të vaksinuar me dozën e parë në Kosovë deri më sot janë 809.496 qytetarë, me të dyja dozat 565.799, ndërsa numri total i dozave të administruara arrin shifrën 1.375.295.

Të tjera