Lajme

​Haxhiu-Hotit: E di që s’je i përgatitur për bisedime, ke harruar edhe pasaportën para nisjes për Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 22:46 | 12 October 2020

Kryeministri Avdullah Hoti në interpelancën e tij sonte në Kuvend është përballur me kritika nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili e ka akuzuar se është i papërgatitur në dialogun me Serbinë, duke ia kujtuar edhe momentin kur e kishte harruar pasaportën para nisjes në Bruksel.

Kreu i Qeverisë së vendit në seancën plenare ka thënë se platforma për dialogun me Serbinë është vetë Kushtetuta e Kosovës dhe se nuk ka asnjë platformë tjetër.

“Kushtetuta është platformë për dialog dhe nuk ka një platformë tjetër. E dyta, janë arritur mbi 30 marrëveshje deri më tash, gati të gjitha gjatë qeverisjes kur në krye të Qeverisë ka qenë PDK. A, është kështu? A keni kërkuar nga Serbia kërkim-falje për t’i arritur këto marrëveshje, se kështu ma shtruat pyetjen mua? E, çka po bëj unë tash? Unë tash po punoj për marrëveshje finale për njohje reciproke ku tema e të pagjeturve është kryesorja. Pa u marrë vesh për ata, nuk mbyllet kjo marrëveshje. Për autostradën për Merdarë dhe hekurudhën, këto prapë janë të nisura në qeverinë e juaj, ju i keni nisur këto biseda”, tha ai.

Por, kjo nuk mjaftuar për deputetin Haxhiu që të vazhdojë me kritikat e radhës ndaj kryeministrit Hoti, duke e quajtur atë të përgatitur për bisedimet në Bruksel, duke i përmendur se në një rast kishte harruar të marrë edhe pasaportën.

“Atë që e ka arritur PDK me marrëveshje as për afër s’do ta bësh. PDK ta ka lënë marrëveshjen finale me Serbinë, jo marrëveshjen ekonomike, por marrëveshje me traktat paqeje përfundimtare. E ke humbur atë rast dhe e ke shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët në Ujman. E di që nuk je i përgatitur se edhe kur je nis për Bruksel, e ke harruar pasaportën, aq i përgatitur që ke qenë sa është dashur të të presë aeroplani në pistë dhe udhëtarët 15 minuta. Aq i përgatitur ke kanë, sa edhe pasaportën e ke harruar në shtëpi!”, tha deputeti Haxhiu.

Ndryshe, pasi në seancën plenare në Kuvend nuk kishte kuorum, deputetja e PDK Besa Ismaili-Ahmeti ka kërkuar që në ditët në vijim të harmonizohen dy rezolutat e propozuara nga PDK dhe LVV, dhe më pas ato të hidhen në votim.

Të tjera