Lajme

​ Pronari i banesës e nxjerrë në rrugë një nënë me gjashtë fëmijë në Fushë Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 17:56 | 02 October 2021

Familja Shabani nga Fushë Kosova ka mbetur pa kulm mbi kokë. Pronari i objektit ku kanë qenë të sistemuar këta nevojtarë i ka nxjerrë jashtë. Arsyeja, pretendohet të jetë mungesa e parashtrimit të kërkesës në komunë për vazhdimin e kontratës së banimi, shkruan Gazeta Infokus.

Liridona Shabani, e ëma e gjashtë fëmijëve, ankohet se tash nuk kanë ku të shkojnë.

Ajo thotë se Komuna ia ka paguar qiranë për një vit, por kontrata u ka skaduar më 30 shtator.

E ndodhur në këtë situatë, ajo kërkon nga bamirësitë që t’i ofrojnë ndihmë së paku në këtë kohë të ftohtë.

Infokus ishte në vendin e ngjarjen dhe ka parë gjendjen e mjerueshme të tyre.

“U lutemi të gjithë atyre që kanë mundësi për të na ndihmuar që të na bëjnë një qare në këtë kohë të ftoftë”, lutet Shabani.

Në Komunën e Fushë Kosovës thonë se familja Shabani për 7 vjet ka qenë në kontratë për pagesën e qirasë, të cilën e ka kryer rregullisht komuna.

Por, sipas tyre, kontratat kanë qenë njëvjeçare, kështu që është dashur për çdo vit të parashtrohen kërkesat për vazhdim të tyre.

Këtë vit, kjo nuk ka ndodhur!

“Liridona e ka të drejtën që 1 muaj para se t’i dalë kontrata e banimit, të bëjë kërkesën për vazhdim të qirasë së banimit. Në atë kërkesë duhet me i plotësuar dokumentet, nëse dëshiron të vazhdoj në atë banesë, apo në ndonjë banesë tjetër”, ka thënë një zyrtar i Komunës së Fushë Kosovës.

Sipas tij, Liridona Shabani duhet ta gjej vet banesën, ndërsa komuna më pasë e kontrollon nëse i plotëson kriteret në aspektin teknik, hapësinor dhe higjenik.

“Në këtë rast, Liridona nuk ka paraqitur kërkesë për kontratë, por vetëm është ankuar nga pronari se nuk po e lë me vazhduar banimin aty. Thjesht nuk kanë pasur mirëkuptim mes vete”, ka thënë zyrtari komunal.

Sidoqoftë, ai thotë se familja Shabani le të interesohet për gjetjen e banesës, sepse komuna do t’i dalë në ndihmë./Gazeta Infokus/

Të tjera